Demenca është një term i përgjithshëm që përfaqëson një grup sëmundjesh qe shkaktojnë një humbje progresive të funksionit mendor dhe karakterizohen nga rënie të kujtesës, të procesit të të menduarit, të arsyetimin, ndryshim i personalitetit, humorit dhe sjelljes.
Demenca është përshkrimi i gjendjes së funksionit mendor të një personi dhe jo një sëmundje specifike.
Rënia e funksionit mendor ndikon në jetën dhe aktivitetet e përditshme. Është vlerësuar se rreth 50% e njerëzve të moshës 85 vjeç e lart kanë demencë. Medikamentet aktuale mund të ndihmojnë në ngadalësimin e rënies se funksionit mendor, por nuk e shërojne sëmundjen.
Një person me demencë paraqet dy ose me shume nga simptomat e mëposhteme.
– Renie te kujteses.
– Veshtiresi arsyetimi.
– Probleme në të shprehur.
– Probleme koordinimi.
– Ndryshim te humorit.
– Ndryshime ne sjellje.
Shkaku më i zakonshëm i demencës është sëmundja e Alzheimerit (perben 60-70%) të rasteve. Shkaqet e tjera te demences mund te jene:
– Demenca vaskulare.
– Demenca me trupa Lewy.
– Demenca frontotemporale.
– Demenca e përzier.
– Demenca për shkak të sëmundjes së Parkinsonit.
Ne disa raste simptomat e demences mund te shfaqen si pasojë e efekteve anësore të ilaçeve ose problemet e tiroides. Keto simptoma ndryshe nga ato qe shfaqen ne rastin e demences qe jane te perhershme jane te perkoheshme dhe zhduken nese trajtohet shkaku ose nese nderpriten medikamentet qe i shkaktojne.
EPIDEMIOLOGJIA
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se numri i individëve me demencë në mbarë botën është afërsisht 55 milionë. Mbi 60% e tyre jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Ky numër pritet të arrijë afërsisht 78 milionë deri në vitin 2030 dhe 139 milionë deri në vitin 2050.
Demenca konsiderohet një sëmundje e vonshme sepse tenton të zhvillohet kryesisht tek njerëzit që janë më të moshuar. Rreth 5% deri në 8% e të gjithë njerëzve mbi moshën 65 vjeç kanë një formë të demencës dhe ky numër dyfishohet çdo pesë vjet mbi atë moshë. Është vlerësuar se gjysma e njerëzve 85 vjeç e lart vuajne nga demenca.
Demenca eshte rezultat i një sërë sëmundjesh dhe lëndimesh që prekin trurin. Sëmundja e Alzheimerit është forma më e zakonshme e demencës. 60-70% e demences shkaktohet nga Alzheimeri.
Demenca është aktualisht shkaku i shtatë kryesor i vdekjeve dhe një nga shkaqet kryesore të paaftësisë dhe varësisë tek të moshuarit në mbarë botën.
FAKTORËT E RISKUT
– Mosha (më e zakonshme tek mosha 65 vjeç e lart)
– Tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni).
– Sheqeri i lartë në gjak (diabeti).
– Të qënit mbi peshe ose obez.
– Pirja e duhanit.
– Konsumi i tepert i alkoolit.
– Jeta sedentare (inaktiviteti fizik).
– Izolimi social.
– Depresioni.
KLASIFIKIMI I DEMENCES
1-Primare (sëmundjet dhe kushtet në të cilat demenca është sëmundja kryesore).
2-Sekondare (demencë e shkaktuar nga një sëmundjeje ose gjendjeje tjetër).
3-Demenca e shkaktuar nga shkaqe te kthyeshme si sëmundje ose intoksikacionet.
Demenca primare perfshinë:
1-Sëmundjen e Alzheimerit, e cila shkaktohet nga grumbullim jonormal i proteinave (proteina amiloide dhe proteina tau) në tru. Truri i njeriut përmban mbi 100 miliardë qeliza nervore (neurone). Qelizat nervore punojnë dhe komunikojne sëbashku për të kryer funksione të tilla si, të menduarit, të mësuarit, kujtesa dhe planifikimi. Studiuesit besojnë se proteina amiloide grumbullohet në qelizat e trurit , duke formuar masa më të mëdha të quajtura pllaka. Gjithashtu dhe proteina TAU grumbullohet ne qelizat e trurit, duke formuar masa te medha si fije (filamente) ngaterruese. Këto pllaka dhe fije bllokojnë komunikimin midis qelizave nervore, duke penguar funksionin normal te tyre. Vdekja e ngadaltë dhe e vazhdueshme e qelizave nervore shkakton sëmundjes e Alzheimerit .Vdekja e qelizave nervore fillon zakonisht në hipokampus (zone e trurit që kontrollon kujtesën) dhe më pas përhapet në zona të tjera.
2-Demenca vaskulare, është shlaktarja e dytë e demencës. Shkaktohet nga faktore si goditjet në tru ose ateroskleroza, të cilat bllokojnë dhe dëmtojnë enët e gjakut. Kjo gjëndje con ne mungesen e furnizimit me oksigjen dhe lende ushqyese te neuroneve dhe si paspje shkakton vdekjen e tyre. Simptomat përfshijnë probleme me kujtesën, konfuzion dhe probleme me përqendrimin dhe përfundimin e detyrave. Rënia mund të shfaqet papritur (pas një goditjeje të madhe) ose gradualisht (pas një serie mini goditjesh). Faktorët e rrezikut përfshijnë presionin e lartë të gjakut, diabetin dhe nivelet e larta të kolesterolit. Rreth 15% deri në 25% e njerëzve me demencë kanë demencë vaskulare.
3-Demenca e trupave Lewy, eshte nje demence e shkaktuar nga grumbullimi i proteinave të quajtura trupat Lewy në qelizat nervore të trurit. Trupat Lewy dëmtojnë qelizat nervore. Simptomat përfshijnë probleme me lëvizjen, ekuilibrin, probleme të gjumit, humbjen e kujtesës, vështirësi në planifikim dhe në zgjidhjen e problemeve si dhe halucinacione dhe deluzione vizuale. Pesë deri në 10% janë demenca te shkaktuara nga trupat Lewy.
4-Demenca frontotemporale (FTD), kjo demencë rezulton nga dëmtimi i lobeve frontale dhe të trurit. Dëmi shkaktohet nga grumbullimi i proteinave jo normale në këto zona. Shkakton ndryshime në sjellje, personalitet dhe/ose humbje të aftësive gjuhësore (të folurit, të kuptuarit ose harresës së kuptimit të fjalëve të zakonshme) ose të koordinimit motorik. FTD është një shkak i zakonshëm i demencës së hershme, që shpesh shfaqet tek njerëzit midis moshës 45 dhe 64 vjeç. Midis 5% dhe 6% e të gjitha demencave janë FTD.
5-Demenca e përzier, është një kombinim i dy ose më shumë llojeve të demencës. Kombinimi më i zakonshëm është sëmundja e Alzheimerit me demencën vaskulare. Është më e zakonshme tek personat 80 vjeç e lart. Shpesh është e vështirë të diagnostikohet sepse simptomat e një demence mund të jenë më të dukshme dhe/ose shumë simptoma të çdo lloji mbivendosen. Rënia është më e shpejtë tek njerëzit që kanë demencë të përzier në krahasim me ata që kanë vetëm një lloj demence.
Demenca sekondare perfshinë:
1-Sëmundja e Huntingtonit, defekt i vetem i lokalizuar ne nje gjen shkakton këtë çrregullim të trurit. Sëmundja shkakton crregullim te neuroneve me pasoje probleme të kontrollit të lëvizjes së trupit, probleme të të menduarit, vendimarrjes, kujtesës, si dhe ndryshime të personalitetit.
2-Sëmundja e Parkinsonit, njerëzit në fazat e mëvonshme të sëmundjes së Parkinsonit zhvillojnë demencë. Simptomat përfshijnë probleme me të menduarit dhe kujtesën, halucinacione, deluzione, depresion dhe probleme me të folurit.
3-Sëmundja Creutzfeldt-Jakob, sëmundje e rrallë infektive e trurit prek vetëm 1 në 1 milion njerëz. Një proteinë jo normale në tru e quajtur prion shkakton sëmundjen. Këto prione grumbullohen së bashku dhe shkaktojnë vdekjen e qelizave nervore në tru. Simptomat përfshijnë probleme me të menduarit, kujtesën, komunikimin, planifikimin dhe/ose gjykimin, konfuzion, ndryshime te sjelljes, dhe depresionin.
4-Sindroma Wernicke-Korsakoff, çrregullim i trurit shkaktohet nga një mungesë e rëndë e tiaminës (vitamina B1). Kjo mund të shkaktoje gjakderdhje në zonat kryesore që lidhen me kujtesën në tru. Eshte me shpesh e pranishme tek personat e alkolizuar, por mund të ndodhe edhe për shkak të kequshqyerjes dhe infeksionit kronik. Simptomat përfshijnë shikim të dyfishtë, humbje të koordinimit të muskujve, vështirësi në përpunimin e informacionit, të mësuarit e aftësive të reja dhe të kujtuarit e gjërave.
5-Demtimi traumatik i trurit, traumat e perseritura në kokë mund të shkaktojnë këtë dëmtim. Më së shpeshti shihet te lojtarët e futbollit, boksierët, ushtarët dhe njerëzit që kanë pasur një aksident me automjet. Simptomat e demencës, të cilat shfaqen vite më vonë, përfshijnë humbjen e kujtesës, ndryshimet e sjelljes ose humorit, të folurit të paqartë dhe dhimbje koke.
Demenca e shkaktuar nga shkaqe reversibel (te kthyeshme) perfshijne:
1-Hidrocefalusi me presion normal (NPH), kjo gjendje ndodh kur lëngu cerebrospinal (CSF) grumbullohet në hapësirat e trurit (barkushet). Grumbullimi i tepërt dëmton trurin. NPH mund të shkaktohet nga një infeksion i trurit, dëmtimi i trurit, gjakderdhja në tru ose operacioni i mëparshëm i trurit. Simptomat përfshijnë ekuilibrin e dobët, harresën, vështirësinë për t’i kushtuar vëmendje, ndryshimet e humorit, rëniet e shpeshta dhe humbjen e kontrollit të fshikëzës.
2-Mungesa e vitaminave, B1, B6, B12 bakrit dhe vitaminës E mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me demencën.
3-Infeksionet, që mund të shkaktojnë simptoma të ngjashme me demencen përfshijnë infeksionin HIV, sifilizin dhe sëmundja e Lyme. Simptomat e raportuara me infeksionin COVID-19 përfshijnë “mjegullën e trurit” dhe delirin akut. Për shkak të rrezikut të inflamacionit dhe goditjes që shihet me infeksionin COVID-19, po hetohen si efektet konjitive afatshkurtra ashtu edhe ato afatgjata. Infeksionet e traktit urinar (UTI) dhe infeksionet të mushkërise tek të moshuarit mund të shkaktojnë gjithashtu simptoma të ngjashme me demencën. Infeksione të tjera të sistemit nervor qendror dhe infeksionet e trurit të shkaktuara nga kërpudhat, bakteret dhe parazitët mund të shkaktojnë gjithashtu simptoma te ngjashme me demencen.
4-Crregullimet metabolike dhe endokrine, mund të imitojnë demencen. Bejne pjese te ketyre crregullimeve sëmundja e Addison-it, sëmundja e Cushing, niveli i ulët i sheqerit në gjak (hipoglicemia) ,ekspozimi ndaj metaleve të rënda (si arseniku ose mërkuri), nivelet e larta të kalciumit (hiperkalcemia nga hiperparatiroidizmi), cirroza e mëlçisë dhe problemet e tiroides.
5-Efektet anësore të ilaçeve, mund të imitojnë simptomat e demencës. Këto përfshijnë ilaçet e gjumit, ilaçe kundër ankthit, ilaçet kundër depresionit, ilaçe kundër konvulsioneve, ilaçe antiparkinson, qetësues jobenzodiazepinikë, qetësues narkotikë të dhimbjes, statina dhe të tjera.
6-Shkaqe të tjera, të simptomave të ngjashme me demencën përfshijnë tumoret e trurit dhe hematomat subdurale (gjakderdhja midis sipërfaqes së trurit dhe cipes mbeshtjellese se trurit).
SIMPTOMAT:
Simptoma të hershme (të lehta) të demencës:
– Kujtesa afatshkurtër është e dëmtuar
– Mësimi dhe aftësia për të marrë informacion të ri bëhen të vështira.
– Zhvillohen problemet e të folurit (veçanërisht në gjetjen e fjalëve),
– Ndryshime te humorit dhe ndryshimet te personalitetit.
Pacientët mund të përjetojnë vështirësi progresive në kryerjen e aktiviteteve të jetës së përditshme në mënyrë të pavarura si psh (të kujtojnë takimet, të gjejnë rrugën e tyre ose të kujtojnë se ku i vendosin gjërat). Procesi i te menduarit dhe gjykimi janë të dëmtuara. Kjo gjëndje mund të shkaktoje nervozizëm, armiqësi dhe agjitacion. Edhe pse demenca në fazat e hershme mund të mos dëmtojë jeten sociale , profesionale dhe familjare, anëtarët e familjes mund të raportojnë sjellje të çuditshme që lidhen me paqëndrueshmërinë emocionale.
Simptomat e fazes se mesme te demencës (të moderuara):
– Pacientët bëhen të paaftë për të mësuar dhe mbajtur mend informacionin e ri.
– Kujtesa për ngjarjet në distancë është e komprometuar, por nuk humbet plotësisht.
– Pacientët mund të kenë nevojë për ndihmë me aktivitetet e jetës së përditshme si psh (larja, ushqyerja, veshja, tualeti).
Ndryshimet e personalitetit mund të përparojnë. Pacientët mund të bëhen lehtësisht të irritueshem, të shqetësuar, të përqendruar tek vetja, jo fleksibël ose të zemëruar. Ata mund të zhvillojnë depresion, të bëhen të pavendosur, të humbasin spontanitetin ose në përgjithësi të tërhiqen nga situatat sociale. Karakteristikat ose zakonet e personalitetit mund të bëhen më të ekzagjeruara psh (shqetësimi për paratë mund të kthehet në një obsesion pas tyre). Mund të zhvillohen çrregullime të sjelljes. Të sëmurët mund të bëhen të shqetësuar papritmas, armiqësor, jo bashkëpunues ose fizikisht agresivë. Nga kjo fazë e tutje, pacientët humbasin plotësisht ndjenjën e kohës dhe hapësirës, sepse nuk mund të përdorin në mënyrë efektive referenca normale mjedisore dhe sociale. Pacientët shpesh humbasin, ata mund të mos jenë në gjendje të gjejnë dhomën e gjumit ose banjën e tyre. Mund te ecin por shtohet rreziku per tu rrëzuar ose i aksidenteve që vijnë nga një gjëndje konfuzioni. Ndryshimet shqisore ose perceptuese mund të kulmojnë në psikozë me halucinacione dhe deluzione paranojake dhe persekutuese. Gjumi shpesh është i çrregullt.
Simptoma të vonshme (të rënda) të demencës:
– Pacientët nuk mund të ecin, të hanë ose të kryejnë ndonjë aktivitet tjetër të jetës së përditshm.
– Kujtesa afatshkurtër dhe afatgjatë humbasin plotësisht.
Pacientët mund të mos jenë në gjendje të gëlltiten. Ata janë të rrezikuar nga kequshqyerja, pneumonia (veçanërisht për shkak të aspirimit) dhe ulcerat dekubitus (presionit). Për shkak se ata janë plotësisht të varur nga të tjerët për kujdes, shtrimi në spital në një institucion të kujdesit afatgjatë shpesh bëhet i nevojshëm. Me kalimin e kohës, pacientët bëhen të heshtur. Në fazën terminale të demencës, ndodh koma dhe vdekja, përgjithësisht për shkak të infeksionit.
DIAGNOZA
Diagnostikimi i demencë eshte kryesisht klinik, bazohet ne anamnezen, ekzaminimin fizik dhe neurologjik te pacientit.
– Ekzaminimi i statusit mendor, i cili përfshinë teste për të vlerësuar kujtesën, zgjidhjen e problemeve, vëmendjen, matematikën bazë dhe gjuhën.
– Testet standarde mjekësore si, analizat e gjakut dhe urinës, për të përjashtuar shkaqe të tjera të mundshme të simptomave.
– Teste imazherike të trurit, CT skaner te trurit, MRI truri ose tomografi me emetim pozitron, për të vertetuar diagnozën e Alzheimerit ose për të përjashtuar shkaqe të tjera të mundshme.
MENAXHIMI DHE TRAJTIMi
Së pari, është e rëndësishme të kuptojme termat “i trajtueshëm” dhe “i shërueshëm”. Të gjitha ose pothuajse të gjitha format e demencës janë të trajtueshme, pasi mjekimi dhe masat e tjera mund të ndihmojnë në menaxhimin dhe permiresimin e simptomave. Megjithatë, shumica e formave të demencës nuk mund të kurohen ose sherohen dhe trajtimet ofrojnë vetëm përfitime minimale ose modeste. Për fat të mirë, disa forma të demencës, si ato të shkaktuara nga shkaqe të trajtueshme, mund të sherohen me sukses. Keto forma jane:
– Format e shkaktuara nga efektet anësore të medikamenteve, drogave të paligjshme ose alkoolit.
– Format e shkaktuara nga disa tumore që mund të hiqen.
– Format e shkaktuara nga hematoma subdurale (një grumbullim gjaku nën mbulesën e jashtme të trurit që është shkaktuar nga një dëmtim i kokës).
– Format e shkaktuara nga hidrocefalus me presion normal (një grumbullim i lëngut cerebrospinal në tru).
– Format e shkaktuara nga çrregullime metabolike, si mungesa e vitaminës B12.
– Forma te shkaktuara nga hipotiroidizmi, një gjendje që vjen nga nivelet e ulëta të hormoneve tiroide.
– Forma e shkaktuar nga hipoglicemia (sheqer i ulët në gjak).
– Forma e shkaktuar nga depresioni.
Demencat që nuk janë të kthyeshme mund t’i përgjigjen minimalisht medikamenteve që trajtojnë humbjen e kujtesës ose problemet e sjelljes. Këto demenca përfshijnë:
– Sëmundja e Alzheimerit.
– Demenca vaskulare.
– Demenca të lidhura me sëmundjen e Parkinsonit dhe çrregullime të ngjashme.
– Kompleksi i demencës SIDA.
– Sëmundja Creutzfeldt-Jakob.
MASAT E PERGJITHSHME DHE PARANDALIMI:
Ndërsa ka disa faktorë rreziku për demencën që nuk mund të ndryshohen, si mosha dhe gjenetika, ju mund të jeni në gjendje të menaxhoni faktorë të tjerë për të ndihmuar në uljen e rrezikut. Hulumtimet tregojnë se të keshë një mënyrë jetese të shëndetshme ndihmon në mbrojtjen e trurit nga rënia e aftësive konjitive. Strategjitë e mëposhtme mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimer:
– Aktiviteti mendor, luani lojëra tavoline, lexoni, bëni fjalëkryqe, luani një instrument muzikor ose krijoni hobi të tjera që kërkojnë “angazhimin e trurit”.
– Aktiviteti Fizik, duhet të praktikohet çdo ditë, pasi ndihmon ne reduktimin e shqetësimit , permireson ekuilibrin dhe ruan tonin kardiovaskular. Aktiviteti fizik mund të jetë gjithashtu i dobishëm për përmirësimin e çrregullimeve të gjumit dhe reduktimin e çrregullimeve të sjelljes..
– Jeta sociale aktive, flisni rregullisht me miqtë dhe familjen dhe bashkohuni në aktivitete në grup, të tilla si shërbime fetare, klasa ushtrimesh, klube librash ose punë vullnetare në komunitet.
– Terapia profesionale dhe muzikoterapia, ndihmojnë në ruajtjen e kontrollit të mirë motorik dhe ofrojnë stimulim joverbal.
– Dieta e shëndetshme, ndjekja e një diete mesdhetare ose një dietë tjetër të shëndetshme që përfshinë antioksidantë është e rendesishme në rastin e demences.
Barnat e miratuara për formën më të zakonshme të demencës te shkaktuar nga sëmundja e Alzheimerit, janë:
1- Frenuesit e kolinesterazës, duke përfshirë donepezil (Aricept®), rivastigmine (Exelon®) dhe galantaminë (Razadyne®).
2- Memantina antagonist i receptorit NMDA (Namenda®).
3- Antitrupa anti-amiloide aducanumab (Aduhelm®).
– Frenuesit e kolinesterazës dhe antagonisti i receptorit NMDA ndikojnë në procese të ndryshme kimike në tru. Të dyja klasat e barnave kane treguar se ofrojnë disa përfitime në përmirësimin ose stabilizimin e funksionit të kujtesës. Frenuesit e kolinesterazës menaxhojnë kimikatet në tru që lejojnë dërgimin e mesazheve midis qelizave të trurit, gjë që nevojitet për funksionimin e duhur të trurit. (Lidhjet humbasin pasi qelizat e trurit vdesin kur demenca përkeqësohet.) Memantina funksionon njësoj si frenuesit e kolinesterazës, përveçse ajo punon në një lajmëtar tjetër kimik dhe ndihmon qelizat nervore të mbijetojnë më gjatë.
– Aducanumab synon proteinat amiloide, të cilat depozitohen në pllakat që shihen në trurin e njerëzve te sëmure me Alzheimer.
Menaxhimi i ndryshimeve të sjelljes
– Per personat qe vuajnë nga demenca duhet mbajtur një mjedis i njohur për ta. Nuk duhet ndryshuar paraqitja ose organizimin i hapësirës ku jetojne. Ambienti ku jetojnë duhet të jete komod.
– Keshillohet shmangia e konflikteve me keto persona.
– Medikamentet qe mund te përdpren për ndryshimin e humorit janë
a- Medikamentet kundër depresionit, barna qe mund të trajtojnë, shqetësimin, agresionin dhe depresionin.
b- Medikamente kundër ankthit.
c- Medikamente antikonvulsante, ndonjëherë mund të trajtojnë agresionin.
d- Medikamente antipsikotike (neuroleptikët), jane barna qe mund të trajtojnë paranojën, halucinacionet.
KOMPLIKACIONET
Truri kontrollon të gjitha funksionet e trupit kur funksionet e trurit tuaj bien, shëndeti i përgjithshëm është në rrezik. Shumë sëmundje dhe gjendje mund të shkaktojne si rezultat i të pasurit të demencës.
Komplikimet e mundshme të demencës përfshijnë:
– Dehidratim dhe kequshqyerje.
– Plagët e shtratit (ulçera nga presioni).
– Lëndime dhe fraktura të kockave nga rrëzimet.
– Sulmet në zemër.
– Dështimi i veshkave.
– Pneumonia aspirative (grimcat e ushqimit thithen në mushkëri dhe shkaktojnë infeksion).
– Sepsis (infeksion).