fbpx
Keshilla per shendetin tuaj

Semundja e Parkinsonit

Parkinsoni eshte nje semundje progresive, degjenerative e sistemit nervor gjate se ciles qelizat nervore (neuronet) ne zona te ndryshme te trurit shkaterrohen dhe vdesin.

Klinikisht karakterizohet nga:

  • Dridhje ne gjendje qetesie ( Tremor )
  • Ngurtesim muskulore ( Rigor )
  • Ngadalesim i te gjithave levizjeve ( Bradikinezia )
  • Pamundesia per te ruajtur posturen (qendrimin ne kembe ).
    Semundja ka nje ecuri te ngadalte , eshte progresive dhe e pasherueshme.

EPIDEMIOLOGJI

Gati nje milion njerez ne SHBA jetojne me semundjen e Parkinsonit. Ky numer pritet te arrije ne 1,5 milione deri ne vitin 2030. Parkinson eshte semundja e dyte neurodegjenerative me e shpeshte pas semundjes se Alzheimerit.
Gati 90,000 njerez ne SHBA diagnostikohen me semundjen e Parkinsonit çdo vit.
Me shume se 10 milione njerez ne mbare boten jetojne me semundjen e Parkinsonit.
Shpeshtesia e semundjes rritet me rritjen e moshes, Parkinsoni prek afersisht 0.4% e njerezve mbi 40 vjeç, 1% e njerezve ≥ 65 vjec, 10% e njerezve ≥ 80 vjeç. Mosha mesatare e fillimit eshte afersisht 57 vjec.
Burrat kane 1.5 here me shume gjasa te semuren me semundjen e Parkinsonit sesa grate.

SHKAQET

Ne semundjen e Parkinsonit, verehet nje degjenerim i neuroneve te pigmentuara te substantia nigra (quhet e tille per shkak te pigmentit me ngjyre te zeze), locus ceruleus dhe qelizave të tjera dopaminergjike (qe prodhojne Dopamine) cka rezulton ne nje renie te nivelit te Dopamines. Dopamina eshte nje neurotransmetues, nje lende qe ndermjetson transmetimin e impulsit ne qelizat nervore, transmeton komandat e sistemit nervor ne muskuj dhe kontrollon zbatimin e metejshem te levizjeve te tyre. Kjo eshte arsyeja pse mungesa e dopamines shkakton ngadalsimin e levizjeve dhe simptoma te tjera si dridhje dhe ngurtesim. Perparimi i semundjes se Parkinsonit shkakton perkeqesim dhe intensifikim te simptomave. Fazat e mevonshme te semundjes shpesh ndikojne ne funksionimin e trurit, duke shkaktuar simptoma te ngjashme me demencen dhe depresion.

DOPAMINA

Parkinsoni mund te shkaktohet nga shkaqe:


1- Idiopatike (Idiopatic Parkinson Syndrome), forma me e shpeshte , perben 75 % te rasteve , karakterizohet nga degjenerimi i neuroneve dopaminergjike te Substances Nigra dhe Locus Ceruleus. Etiologjia eshte e panjohur, gjenetika dhe mosha jane dy faktore te rendesishem ne zhvillimin e kesaj sindrome.


2- Forma sekondare e Parkinsonit e shkaktuar nga,

a- Medikamente, Antipsikotiket, Lithiumi, Antiemetiket (metoklorpramidi),
b- Traumat e kokes,
c- Tumoret e trurit,
d- Inflamacioni i trurit (Encefaliti),
e- Agjent toksik, Monoksidi i karbonit, Mangani,
f- Metabolike, Morbus Wilson (mbingarkese e organizmit me Baker).


3- Forma gjenetike e Parkinson, shfaqet gjate femijerise dhe adoleshences dhe eshte e lidhur me mutacione gjenetike.


4- Forma atipike e Parkinson, i referohet nje grupi çrregullimesh neurodegjenerative qe kane disa tipare te ngjashme me ato te semundjes se Parkinsonit, por kane disa karakteristika te ndryshme klinike, nje prognoze me te keqe, pak ose aspak pergjigje ndaj levodopes dhe patologji te ndryshme p.sh semundje neurodegjenerative si (atrofi e shumefishte , paralize supranucleare progresive, demence me trupa Lewy dhe degjenerim i ganglioneve kortikobazal).

SIMPTOMAT

Simptomat me te njohura te semundjes se Parkinsonit perfshijne humbjen e kontrollit te muskujve. Megjithate, ekspertet tani e dine se ceshtjet e lidhura me kontrollin e muskujve nuk jane simptomat e vetme te mundshme te semundjes se Parkinsonit.


1-Simptomat motorike, te lidhura me levizjen perfshijne;

a- Levizje te ngadalta (bradikinezi), jane tipike te semundjes se Parkinsonit. Aktiviteti motorik amplituda e levizjes peson nje renie progresive dhe domethenese (hipokinezi), shtohet veshtiresia ne nisjen e nje levizjeje (akinezi).

b- Dridhje kur muskujt jane ne qetesi e cila shfaqet ne 80% te rasteve. Dridhja perkeqesohet kur muskujt jane ne gjendje qetesie, zvogelohet gjate levizjes dhe pushon gjate gjumit. Emocionet dhe lodhja shtojne amplituden e dridhjes.

c- Rigiditet ose ngurtesim, ngurtesia ndihet ne muskujt e krahut, kembes, trungut dhe qafes. Ndersa levizja perfundon, muskujt jane ne nje gjendje te vazhdueshme rezistence.

d- Paqendrueshmeri posturale dhe veshtiresi ne ecje, mund te zhvillohet ne fazat me vone te semundjes. Shkakton veshtiresi ne nisjen e ecjes, ne ndalim dhe ne kthim, lekundje gjate ecjes, shkurtim te hapave dhe pershpejtim te tyre, veshtiresi ne lekundjen e kraheve ose bllokim i levizjes se tyre gjate ecjes. Kjo ecje quhet shpeshhere paraprine fazen kur ecja dhe levizjet e tjera mund te bllokohet totalisht. Humbja e reflekseve posturale dhe zhvendosja e qendres se gravitetit shkakton tendencen per renie perpara ose prapa.

e- Humbje te mimikes se fytyres

f- Mikrografi, mikrokinezia dhe ulja e kontrollit te muskujve distal shkaktojne mikrografi, (shkrim shume te vogel) dhe i bejne aktivitetet e jetes se perditshme gjithnje e me te veshtira.

g- Rrjedhje e pa kontrollueshme e peshtymes, nje tjeter simptome qe ndodh per shkak te humbjes se kontrollit te muskujve te fytyres.

h- Probleme me gelltitjen (disfagi), ndodh me uljen e kontrollit te muskujve te fytit dhe rrezikun e problemeve si pneumonia ose mbytja.

i- Hipofoni (ze i bute), ndodh per shkak te kontrollit te zvogeluar te muskujve te fytit dhe gjoksit.

2- Simptoma jo motorike, jane simptoma qe nuk lidhen me levizjen dhe kontrollin e muskujve dhe shpeshhere mund te jene shenja paralajmeruese te cilat fillojnë vite ose dekada perpara simptomave motorike. Keto simptoma jane:
a- Simptomat e sistemit nervor autonom, hipotensionin ortostatik (renie e presionit arterial kur ngrihemi ne kembe), konstipacion (kapsllek), problemet gastrointestinale, mosmbajtje urinare dhe disfunksion seksual (impotence).
b- Depresion.
c- Humbje te nuhatjes (anosmia).
d- Probleme te gjumit, crregullimi periodik i levizjes se gjymtyreve (PLMD), i fazes se gjumi (REM) dhe sindroma e kembeve te shqetesuara.
e- Probleme me te menduarit dhe perqendrimin (Dementia e lidhur me Parkinson).

FAZAT E SEMUNDJES SE PARKINSONIT

– Faza 1, karakterizohet nga simptoma te lehta si dridhje dhe ngurtesim te cilat shfaqen ne nje ane te trupit.

– Faza 2, karakterizohet nga simptoma te cilat jane bilaterale, probleme te ekuilibrit dhe postures.

– Faza 3, karakterizohet nga nje perkeqesim i simptomave, ngadalesim ne levizje.

– Faza 4, probleme te renda ne levizje, koordinim, ekuiliber.

– Faza 5, pamundesi per te ecur dhe levizur pa ndihme, probleme te renda ne koordinim, nevoje per asistence me kohe te plote.


DIAGNOZA

Diagnostikimi i semundjes se Parkinsonit eshte kryesisht klinik, bazohet ne anamnezen dhe egzaminimin klinik te pacientit.
Disa teste laboratorike dhe imazherike zakonisht nevojiten per te perjashtuar semundje te tjera qe shhkaktojne simptoma te ngjashme.
1- Anamneza dhe ekzaminimi klinik i pacientit.
2- Ekzaminimet laboratorike,
– Testet e gjakut per te diagnostikuar format sekondare te Parkinsonizmit
– Tetstet gjenetike per te diagnostikuar formen gjenetike te Parkinsonit
3- Ekzaminimet imazherike:
– Skaneri i Kokes ( CT e kokes )
– Rezonanca Magnetike e kokes ( MRI e kokes)
– Petscani (tomografia me emtim pozitronesh)
4-Testet e reja laboratorike
jane teste qe perfshijne proteinen alfa-sinukleine.
– Ekzaminimi i Lengut cerebrospinal ne kete test kerkohet proteina alfa-sinukleine te palosura ne lengun cerebrospinal, lengu qe rrethon trurin dhe palcen kurrizore.
– Biopsia e lekures, nje tjeter test i mundshem perfshin nje biopsi te indit nervor siperfaqesor. Biopsia perfshine mbledhjen e nje kampioni te vogel te lekures, duke perfshire nervat ne lekure. Kampionet merre nga një pike ne shpine dhe dy pika ne kembe. Analizimi i mostrave mund te ndihmoje ne percaktimin nese proteina alfa-sinukleinaka një lloj te caktuar mosfunksionimi qe mund te rrise rrezikun e zhvillimit te semundjes se Parkinsonit.

MENAXHIMI DHE TRAJTIMI


Semundja e Parkinsonit nuk eshte e sherueshme, eshte nje gjendje e perhershme dhe dhe zgjat gjate gjithe jetes, por ka menyra te shumta per te menaxhuar simptomat e saj.
Qellimi i trajtimit eshte ti lejoje pacientit me Parkinson te ruaje pavarsine e tije jeten sociale, profesionale dhe familjare, te ruaje cilesine e jetes se tije dhe te trajtoje simptomat dhe komplikacionet e semundjes.


1-Masat e pergjithshme:


– Aktivitete sportive, si noti,vallzimi, ecja, vrapi.
– Praktikimi i ushtrimeve të muskulaturës në kushte shtëpie (për tendosjen e muskujve)
– Teknikat e relaksimit, meditimi dhe yoga.
– Fizioterapia
– Logopedia (rehabilitimi i të folurit)
– Ergoterapia (rehabilitimi i lëvizjeve))
– Mbeshtetja psiko-sociale
– Ushqyerje e ekuilibruar, me shume lengje, dhe regjim ushqimor te rekomanduar nga specialist dietolog.
– Prania e pajisjeve ndihmese ne shtepi, ose strehimi ne ambiente te specializuara per kete kontigjent pacientesh.

2-Medikamentet


Nuk egziston ende ndonje medikament qe te sheroje semundjen e Parkinsonit. Megjithate trajtimet aktuale mundesojen ngadalesimin e perparimit te semundjes dhe lehtesimin e simptomave te pacientit.
Trajtimi me medikamente konsiston në kompensimin e deficences (nivelit te pamjftueshem) të dopamines ne nivelin e trurit. Per kete qellim mund te perdoren keto medikamente;

– Levodopa, (pararendes i Dopamines) rrit nivelet e dopamines ne tru. Ky mjekim eshte pothuajse gjithmone efektiv, dhe kur nuk funksionon, kjo eshte zakonisht nje shenjë e ndonje forme tjeter te parkinsonit dhe jo semundjes se Parkinsonit. Perdorimi afatgjate i levodopa con ne efekte anesore qe e bejne ate me pak efektiv.
– Agonistet e dopamines, jane medikamente qe kane nje efekt te ngjashëm me dopaminen. Keto perdoren kryesisht tek pacientet me te rinj per te vonuar fillimin e levodopes.
– Bllokuesit e metabolizmit te dopamines, trupi ka procese natyrale per te shperbere (shakaterruar) neurotransmetueset si dopamina. Medikamentet qe bllokojne shpërbërjen e dopamines lejojne qe me shume dopamine te mbetet e disponueshme per trurin. Ato jane veçanerisht te dobishme ne fillim dhe gjithashtu mund te ndihmojnë kur kombinohen me levodopa ne fazat e mevoneshme te semundjes se Parkinsonit.
– Frenuesit e metabolizmit te levodopa, ngadalsojne menyren se si trupi perpunon levodopa, duke e ndihmuar ate te zgjase me gjate. Keto medikamente mund te kene nevoje per kujdes ne perdorim sepse mund te kene efekte toksike dhe te demtojne melcine. Perdoren me shpesh ne momentin qe levodopa fillon te humbase efektin.

Pervec ketyre medikamenteve specifike, mund te jete i nevojshem edhe perdorimi i medikamenteve të tjera, per trajtimin e simptomave jo motorike shoqeruese :
– Antidepresivet
– Miorelaksantet (relaksuesit e muskujve)

3- Kirurgjia

Nese medikamentet nuk jane efektive dhe/ose kane efekte te patolerueshme, mund te merren parasysh opsionet kirurgjikale, duke përfshire stimulimin e thelle te trurit dhe kirurgjia e lezionit.

– Stimulimi i thelle i trurit konsiston ne implantimin e nje pajisje ne tru, e cila perdor nje rryme te bute elektrike, duke stimuluar ato zona te cilat demtohen gjate semundjes. Avantazhi kryesor eshte se stimulimi i thelle i trurit eshte i kthyeshem ndersa kirurgjia e lezioneve nuk eshte. Kjo qasje trajtimi eshte pothuajse gjithmone një opsion ne fazat e vona te semundjes se Parkinsonit, kur terapia me levodopa behet me pak efektive, dhe te njerezit qe kane dridhje qe nuk permiresohen me medikamentet e zakonshme.

– Kirurgjia e Lezionit, synon te bllokoje hiperaktivitetin e drejtuar ne talamus nga globus pallidus i brendeshem, talamotomia ndonjehere kryhet per te kontrolluar dridhjen ne pacientet me forma te semundjes se Parkinsonit ne te cilat dridhja eshte mbizoteruese dhe nuk i pergjigjet terapise medikamentoze.

– Trajtimi me ultratinguj i fokusuar me intensitet te lartë (HIFU), konsiston ne perdorimin e ultratingujve me frekuence te larte ne guiden e rezonances magnetike per te djegur ( shakaterruar) Talamusin. Avantazhi i kesaj metode eshte qe berthama e ndermjetmje ventrale e talamusit mund te hiqet me rrezik minimal per hemorragji dhe infeksion.
Kjo procedure perdoret per te kontrolluar dridhjen e rende refraktare ndaj ilaçeve ne pacientet me semundjen e Parkinsonit

4- Trajtimet eksperimentale


Studiuesit po eksplorojne mundesine per trajtime te tjera qe mund te ndihmojne me semundjen e Parkinsonit. Ndersa keto nuk jane gjeresisht te disponueshme, ato ofrojne shprese per njerezit me kete gjendje. Disa nga metodat eksperimentale te trajtimit perfshijne:
– Transplantet e qelizave staminale, te cilat shtojne neurone te reja qe perdorin dopaminen ne tru per te marre persiper ato te demtuara.
– Trajtimet per riparimin e neuroneve, jane trajtime qe perpiqen te riparojne neuronet e demtuara dhe inkurajojne formimin e neuroneve te reja.
-Terapite gjenetike, jane trajtime qe synojne mutacione specifike qe shkaktojne semundjen e Parkinsonit. Disa gjithashtu rrisin efektivitetin e levodopes ose trajtimeve te tjera.

PROGNOZA


Semundja e Parkinsonit nuk sherohet, eshte semundje e perhereshme dhe zgjat gjithe jeten. Gjithashtu eshte nje semundje neuro-degjenerative progresive, qe do te thote se efektet ne tru perkeqsohen me kalimin e kohes dhe ne fazat e fundit shumica e pacienteve behen te paafte dhe te palevizshem. Ata mund te mos jene ne gjendje te hane, edhe me ndihme, ndersa gelltitja behet gjithnje e me e veshtire, pneumonia ab ingestis eshte nje nga shkaktaret e vdekjes tek pacientet e semure me Parkinson.
Megjithate kjo gjendje zakonisht kerkon kohe per tu zhvilluar. Shumica e njerezve kane nje jetegjatesi normale.

Shpërndaje në
Kopio adresen
Prev Post

Farat e mireqenies

Tjetër Post

Demenca

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni ardhshëm

Demenca

Demenca është një term i përgjithshëm që përfaqëson një grup sëmundjesh qe shkaktojnë një humbje progresive të…
Mrapa
Kreu
Kategoria