Sindroma metabolike përfshinë të paktën 3 nga 5 gjëndje shëndetësore të mëposhtëme , të cilat rrisin rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, goditjes në tru dhe diabetit mellitus të tipit 2.
Kriteret për të zhvilluar sindromën metabolike janë:
1-Obeziteti Abdominal: perimetër i belit më tepër se 95 cm tek burrat dhe më tepër se 80 cm tek gratë.
2-Hipertrigliceridemia: nivele të larta të triglicerideve > 150 mg/dL
3-Nivele të ulëta të HDL: < 40 mg/dL tek burrat dhe < 50 mg/dL tek gratë .
4-Nivele të rritura të sheqerit në gjak: niveli i sheqerit në gjak esëll në mëngjes 100 mg/dL ose më i lartë. Nëse është 100 deri në 125 mg/dL, quhet Prediabet. Nëse është > 125 mg/dL quhet Diabet.
5-Presioni i lartë i gjakut: vlerat e presionit të gjakut , sistolik 130 mmHg ose më i lartë dhe diastolik 85 mmHg ose më i lartë.
Epidemiologjia:
Incidenca e sindromës metabolike është shpesh paralele me atë të obezitetit dhe diabetit të tipit 2. Prevalenca e sindromës metabolike rritet me moshën, dhe në një studim në SHBA, ishte afërsisht 23% në popullatën e përgjithshme dhe 44% për njerëzit e moshës 60 deri në 69 vjeç. Fëmijët dhe adoleshentët mund të zhvillojnë sindromën metabolike, por nuk është vendosur një përkufizim i saktë për këto grupe.
Zhvillimi i sindromës metabolike varet si nga shpërndarja ashtu edhe nga sasia e indit dhjamor. Rreziku shtohet tek personat të cilët kanë nje shpërndarje të dhjamit abdominal (të barkut) më të lartë në raport me dhjamim e vitheve. Forma trupore tek këto persona është e ngjashme me formën e “MOLLËS”. Personat që kanë një forme trupore në formën e “DARDHËS” ku shpërndarja e dhjamit ështe më e lartë tek vithet në raport me dhjamin e barkut kanë një rrezik më të ulët për të zhvilluar “Sindromën metabolike”.
Disa ekspertë besojnë se stresi kronik shkakton ndryshime hormonale që kontribuojnë në rritjen e dhjamit të barkut, rezistencën ndaj insulinës dhe nivele të ulëta të HDL në gjak.
Komplikacionet:
Sindroma metabolike mund të çojë në një gamë të gjerë komplikacionesh, duke përfshirë:
1- Sëmundjet e zemrës.
2- Goditja në tru.
3- Diabeti mellitus i tipit 2.
4- Dëmtim të organeve, veçanërisht dëmtimi i pankreasit, mëlçisë, të tëmthit dhe veshkave.
5- Sëmundjen tromboembolike, si tromboembolia venoze.
6- Disa lloje të kancerit, si kanceri i zorrës së trashë, kanceri i gjirit dhe kanceri i prostatës.
7- Komplikimet e shtatzënisë, si preeklampsia, eklampsia dhe diabeti gestacional.
8- Apnea obstruktive e gjumit.
9- Sindroma e vezores polikistike tek grate.
10- Disfunksion erektil tek meshkujt.
11- Probleme me te menduarit dhe kujtesen.
Trajtimi:
Qëllimet kryesore të trajtimit të sindromës metabolike janë ulja e rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit të tipit 2. Trajtimi konsiston në përdorimin e medikamenteve dhe në ndryshimin e stilit të jetesës.
Ndryshimet e stilit të jetesës për të menaxhuar sindromën metabolike përfshijnë:
Ulje të peshës trupore: një studim zbuloi se humbja e 7% e peshës së tepërt trupore mund të zvogëlojë rrezikun për diabet të tipit 2 me 58%.
Aktivitetin fizik të rregullt, aktiviteti fizik ka përfitime të shumta. Ndihmon në uljen e rezistencës ndaj insulinës, në mbajtjen e sistemit kardiovaskular të shëndetshëm dhe në mbajtjen nën kontroll të tensionit te gjakut.
Ngrënien e ushqimeve të shëndetshme: dietologu duhet të rekomandojë shmangien e sasive të tepërta të karbohidrateve (të cilat stimulojnë prodhimin e tepërt të insulinës) dhe të yndyrnave të pashëndetshme, mishin e kuq dhe ushqimet e përpunuara. Rekomandohet nje dietë e pasur me fibra të cilat gjenden tek perimet, frutat, drithërat, dhe konsumimi i peshkut dhe shpendëve pa yndyrë. Dieta mesdhetare është një shembull i një diete të shëndetshme për zemrën.
Gjumin cilësor: mungesa e gjumit dhe çrregullimet e gjumit (si apnea e gjumit) mund të përkeqësojnë sindromën metabolike ose të kontribuojnë në zhvillimin e saj.
Shmangien ose lënien e duhanit: Pirja e duhanit mund të ulë kolesterolin HDL dhe të rrisë presionin e gjakut. Gjithashtu dëmton enët e gjakut, gjë që mund të çojë në sëmundje të arterieve koronare.
Menaxhimin e stresit: Nivelet e larta të kortizolit (“hormoni i stresit”) për periudha të gjata kohore mund të rrisin trigliceridet, sheqerin në gjak dhe presionin e gjakut. Për të reduktuar dhe menaxhuar stresin rekomandohet, yoga, pilates, meditim ose ushtrime të frymëmarrjes.
Medikamente dhe trajtime për menaxhimin e sindromës metabolike:
Medikamente për kolesterolin: Statinat (frenuesit e reduktazës HMG CoA) janë medikamente me recetë që përdoren për të ulur kolesterolin në nivele të shëndetshme.
Medikamente për presionin e gjakut (antihipertensivë): janë medikamente me recetë që ulin presionin e gjakut në mënyra të ndryshme. Bëjne pjese tek medikamentet antihipertensive, ACE inhibitoret, bllokuesit e kanalit të kalciumit, beta bllokuesit, diuretikët etj.
Medikamentet kundra diabetit : Këto medikamente funksionojnë në mënyra të ndryshme për të ulur sheqerin në gjak. Medikamenti më i zakonshëm është metformina.
Kirurgjia bariartrike: është një kategori operacionesh kirurgjikale që synojnë të ndihmojnë njerëzit me probleme obeziteti të humbasin peshë.
Trajtimet e çrregullimit të gjumit: disa trajtime mund të ndihmojnë, si një aparat CPAP për apnea të gjumit ose pilula gjumi për pagjumësinë.
Psikoterapia: (terapia e bisedës) është një term për një sërë teknikash trajtimi që synojnë të ndihmojnë një person të identifikojë dhe të ndryshojë emocionet, mendimet dhe sjelljet e pashëndetshme. Psikoterapia ndihmon ne menaxhimin e stresit.